Lëvizja e çmimeve të naftës në 6 muajt e fundit të vitit 2022 – SaKushton
main

Për çdo produkt që t'intereson,
munesh me kqyr sa kushton

SaKushton.com

Lëvizja e çmimeve të naftës në 6 muajt e fundit të vitit 2022

09.01.2023

Shperndaje:

Të gjitha produktet janë shtrenjtuar falë inflacionit të madh që nisi, sidomos pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, por rritja e çmimit të naftës dhe derivateve të saj, vlerësohet se ka goditur më së shumti qytetarët, edhe për shkak të konsumit të lartë.

Kulmi i çmimeve të naftës u arrit gjatë muajit qershor, kur një litër naftë shitej për 1.90 euro. Pas kësaj shumë qeveri nisën të marrin masa, kush duke hequr një pjesë të TVSH-së, kush duke e eliminuar akcizën e të gjitha duke vendosur çmime tavan, gjë që e bëri edhe Qeveria e Kosovës.

Akciza në Kosovë është 0.36 euro për litër, ndërkohë Qeveria në fund të gushtit mori vendim për çmimet tavan, përtej të cilave nuk mund të shkohej. Sipas vendimit, marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është 2 centë për litër, kurse çmimi maksimal i lejuar i shitjes me pakicë është 12 centë për litër.

Si lëvizi çmimi i naftës

Pas “shpërthimit” në muajin qershor, korriku nisi me çmime pak më të ulëta. Më 7 korrik, çmimi maksimal i lejuar për litër të naftës ishte 1.77 euro. Për rreth dhjetë ditë, qëndroi mbi 1.70, për t’u ulur nën këtë shifër më 24 korrik, kur një litër u tregtua për 1.65 euro.

Ky çmim u përcoll deri në gjysmën e shtatorit, kur ra nën 1.60 euro. Më 20 shtator një litër naftë u tregtua me 1.58 euro.

Dhe u deshën gati tre muaj, që çmimi i naftës të bie nën 1.50 euro. Më 12 dhjetor, një litër naftë mund të blihej edhe me 1.48 euro. Çmimi më i ulët u shënua në fund të vitit, më 29 dhjetor, kur një litër u tregtua për 1.43 euro.

Si lëvizi çmimi i benzinës

Në fakt, deri në fillim të inflacionit, benzina ishte më e shtrenjtë se nafta. Por falë kërkesës më të madhe për naftë, ajo u rrit dhe e kaloi edhe benzinën.

Më 7 korrik, një litër benzinë tregtohej për 1.73 euro. Dhe qysh më 9 korrik, çmimi i benzinës ra nën 1.70, në 1.68 euro. Më 23 korrik, një litër benzinë ra nën 1.60 euro, saktësisht 1.56. E një muaj më vonë, më 23 gusht, një litër mund të blihej edhe për 1.49 euro.  Me këtë datë, një litër naftë kushtonte 1.65 euro apo 16 centë më shtrenjtë se benzina.

Më 17 shtator, benzina u zbrit në 1.32 euro, çmim me të cilin edhe e mbylli vitin. Njëjtë ishte edhe më 28 dhjetor.

Si janë çmimet aktuale në rajon

Shqipëria njihet për çmimet më të larta të derivateve, edhe për shkak se me rastin e regjistrimit të veturës në këtë vend, nuk paguhet taksë rrugore, por paguhet një gjatë çdo blerjeje të derivateve, gjë që e rrit çmimin për litër.

Sipas të dhënave të AMZS-së më 9 janar, një litër benzinë në Shqipëri u shit për 181 lekë apo 1.50 euro, kurse një litër naftë për 203 lekë apo 1.69 euro.

Në Bosnjë, një litër benzinë më 9 janar u shit për 1.39 euro, kurse një litër naftë për 1.54 euro.

Në Mal të Zi, një litër benzinë më 9 janar u shit për 1.43 euro, kurse një litër naftë për 1.51 euro.

Në Maqedoni të Veriut, një litër benzinë më 9 janar u shit për 1.25 euro, kurse një litër naftë për 1.30 euro, gjë që e bën vendin ku mund të blihen më së liri nafta dhe derivatet e saj.

Në Serbi, një litër benzinë më 9 janar u shit për 1.45 euro, kurse një litër naftë për 1.68 euro.

Në Kosovë, sipas të dhënave të 6 janarit, një litër benzinë më së liri kushtonte 1.33 euro, kurse një litër naftë 1.45 euro. Të dyja ofroheshin me këtë çmim në Petrol Company.