Sa ishte vaji, qumështi, djathi e detergjenti më 2021? Rritja edhe mbi 100%

10.06.2022

Shperndaje:

Platforma SaKushton, para një viti (10 qershor 2021) kishte botuar shkrimin e rregullt për çmimet në treg dhe nëse të njëjtat produkte krahasohen me çmimet e tanishme, atëherë del se janë rritur edhe për mbi 100 për qind.

Bëhet fjalë për produkte bazike dhe platforma SaKushton i ka analizuar katër prej tyre: vajin, qumështin, djathin dhe detergjentin.

Në shkrimin e botuar në platformën Sa Kushton më 10 qershor 2021 (kliko KËTU për ta lexuar), një litër vaj ofrohej për 1.49 euro, ai i rendit Zvijezda. Vaji në shishe 905 ml, i brendit Biser ofrohej për 1.29.

Sot një litër vaj, i të njëjtit brend – Zvijezda, nëse bëni një kërkim në tregun online, kushton nga 3 euro deri në 3.15 euro, që i bie rritje nga 100 deri në 110 për qind.

Vaji i brendit Biser në shishe 905 ml, tash kushton 2.95 euro, që krahasuar me çmimin e një viti më parë, është rritur për gati 130 për qind (shih KËTU çmimet aktuale të vajit).

Më 10 qershor 2021, në markete ofrohej qumësht edhe më 0.59 euro, si ai Efi për shembull. Sot qumështi më i lirë mund të blihet për 0.90 euro, si ai Migg Natura. Rritja e çmimit të qumështit më të lirë ësht 50 për qind. Të tjerët lloje sot janë mbi 1 euro. (shih KËTU çmimet aktuale të qumështit).

Tjetër nga bulmeti. Më 2021, një kuti djathë grek Salakis 770 gr ofrohej për 3.69 euro, kurse sot i njëjti djathë dhe e njëjta peshë ofrohet për 6.49 euro. Pra rritja është gati 100 për qind (shih KËTU çmimin aktual të djathit Salakis).

Mes produkteve bazë llogaritet edhe detergjenti i rrobave, që po ashtu ka shënuar rritje të madhe të çmimit. Më 2010, një thes detergjent Persil 10 kg mund të blihej për 11.99 euro, që kilogrami i bie 1.20 euro. Ndërkohë sot 1 kg i detergjentit Persil kushton 2.28 euro. Rritja është 90 për qind. (shih KËTU çmimin aktual të detergjentit Persil).

Për fat të keq, ekspertët parashohin se ky nuk është kulmi i krizës.