Sallatë ruse – ku i gjeni më së liri produktet për të (Plus Receta)

21.12.2022

Shperndaje:

Nëse diçka është simbol i tryezës së vitit të ri, atëherë padyshim se këtë epitet e mban ajo që njihet si sallata ruse.

E lehtë për t’u përgatitur dhe shumë e shijshme.

Platforma SaKushton ka krahasuar çmimet e produkteve që ju duhen dhe ua sjell edhe një recetë.

E gjitha që ju duhet është patatja, karrota, bizelja, tranguj turshi, gjoksi i pulës dhe majoneza. Natyrisht edhe pak kripë e uthull që mund t’i keni në çdo rast në shtëpi.

Për ta bërë më të lehtë, karrotën, pataten e bizelen i gjeni në një paketim. Vijnë të ngrira dhe të copëtuara. Paketimin më të lirë e gjeni në Spar. Qesja me peshë 450 gramë e paketuar nga Flora kushton 0.89 euro. Nëse kërkoni perime të brendit Hortex, atëherë në Begmart e gjeni për 0.95 euro, kurse në Spar për 0.99 euro. Paketimi i Hortexit është 400 gr.

Ju duhen edhe ca tranguj turshi. Kavanozi më i lirë në tregun online kushton 1.35 euro dhe ka peshë neto 720gr. Natyrisht juve ju duhet vetëm një pjesë, jo i gjithë kavanozi.

Ju duhet edhe gjoks pule. Paketimi më i lirë 900 gr mund të blihet apo porositet në Maxi. Është i brendit Orion dhe kushton 3.69 euro. Edhe në këtë rast nuk do të t’ju duhet i tëri.

Dhe ju duhet edhe salcë e majonezës. Majoneza më e lirë mund të blihet në Begmart. Kavanozi me peshë 250 ml i brendit Remia kushton 1.14 euro. Mund të përdorni edhe lloje të tjera, si shembull Thomy,  por ju kushton më shtrenjtë.

Receta

Merrini dy paketime me perime të ngrira, ku në përbërje ka vetëm karrotë, patate dhe bizele. I zieni për 4-5 minuta në zjarr mesatar dhe i kulloni e i lini të ftohen.

Copëtoni 5-6 tranguj turshi dhe i hidhni mbi perimet e ziera.

Zieni gjysmë kilogrami gjoks pule dhe pasi të jetë ftohur e copëtoni dhe e përzieni me perime.

Fare në fund, në një enë të madhe, ua hidhni edhe 250 ml majonezë apo një kavanoz të vogël. Kripë e uthull i hidhni sipas dëshirës dhe i përzieni mirë.

Më pas lëreni sallatën të qëndrojë në frigorifer për të paktën dy orë dhe shërbejeni.

Ju bëftë mirë!