Rreth 100 euro në vjet për shërbime bankare – cila është banka më e lirë?

17.12.2020

Shperndaje:

Çmimet e bankave në Kosovë kanë ndryshim mjaft të madh por një gjë e cila i bashkon ato është ulja e çmimeve të shërbimit për përdorim digjital të shërbimeve, duke treguar një tendencë drejt dixhitalizimit të shërbimeve, raporton sakushton.com.

Në këtë drejtim ProCredit Bank ka ndërmarrë hapat më drastik duke bërë çmime shumë të larta për shërbime te zyrtari bankarë dhe duke i shtyrë klientët që të dixhitalizohen. Çmimi rekord i PCB-së është 5 euro për një transfer vendor.  

Pro Credit Bank është banka e vetme e cila shërbimet për klientë individual i ofron vetëm me pako të përbashkët të shërbimeve me një çmim prej 5 euro në muaj, i cili mund të arsyetohet vetëm për përdorues të mëdhenjë të shërbimeve të tyre. Mirëpo për një shfrytëzues të madh të shërbimeve digjitale oferta e pakos së PCB nuk përfshinë pagesat falas me kartelë të kredisë në Internet dhe ato ndërkombëtare, një gjë që disa banka tjera (TEB dhe NLB) e ofrojnë pa kurrfarë pako.

PCB, NLB, Banka Ekonomike dhe Raiffeisen janë banka që ofrojnë pako me shërbime bankare në mënyrë që të konkurojnë me çmim. Prej tyre PCB është e vetmja që ofron mundësinë e marrjes së shërbimeve të tyre vetëm me pako, përderisa te të tjerat pakoja është opsionale.

Sakushton nuk ka bërë krahasimin e pakove apo ofertave ekzistuese të bankave por ka bërë një analizë specifike të disa prej shërbimeve bankare që një kosovari mund t’i duhen për një vit. Në bashkëpunim me klientët tonë në të ardhmen do të bëhet edhe krahasimi i pakove standarde, kur ato janë të krahasueshme në mes vete.  

Ndryshimet e çmimeve në mes të bankave

Ndryshimet më të mëdha janë në çmimet për kartela të kredisë, duke përfshirë mirëmbajtjen vjetore që sillet nga 12 deri në 20 euro e deri te përqindjet për pagesa në Internet. Përderisa kjo është falas me NLB dhe TEB, bankat tjera ngarkojnë edhe paguesin edhe shitësin me përqindje që është një praktikë shumë e rrallë në bankat në Bashkimin Evropian.

Gjithashtu diskrepancë të madhe kanë çmimet e pranimit të parave nga jashtë vendit. Pra klientët paguajnë për shërbime bankare edhe kur paratë arrijnë në llogarinë e tyre nga jashtë. Kjo kosto sillet nga 15 euro që është në TEB deri në 5 Euro që është në Bankën Private të Biznesit dhe Bankën Ekonomike. Pro Credit Bank për shuma deri 50 euro ndalesën e ka 1 euro, mirëpo ajo ngritet menjëherë në 8 euro për shuma mbi 50 euro. Gjithashtu edhe çmimet e bankave për transfere ndërkombtare sillen nga 0.2 deri në 0.3 përqind për shuma minimale e deri në 25 euro për transfer.

Një gjë për të cilën kosto kanë vetëm Raiffeisen dhe Banka Ekonomike është tërheqja e parave nga bankomati, që në RBKO kushton 0.20 deri 0.30 euro e në BEK, 0.10 dhe 0.15 Euro. Këtë ngarkesë nuk e ka asnjëra nga bankat tjera.  

Cila është banka më e lirë?

Sakushton ka bërë një paketë të shërbimeve që mund t’i duhen një kosovari dhe i ka krahasuar këto në mes të pesë bankave në Kosovë. Sipas kësaj llogarie del se banka më e lirë është Banka Për Biznes. Në këtë pako kemi futur një sërë të shërbimeve që një kosovarë mund të ketë gjatë një viti.

Me këtë del se një kosovar shpenzon në vit rreth 100 euro në vit për shërbime bankare dhe ky çmim ndryshon shumë prej bankës në bankë. Çmimet prej 0.50 cent, 0.20 cent etj mblidhen dhe  bëhen mjaft për një konsumator kosovar.

Kliko këtu për çmimet e bankave